Artikulli i Ambasadorit Rus në Shqipëri Mikhail Afanasiev "Në 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Madhe Patriotike", "Gazeta Shqiptare", 22 Qershor 2021 - Lajmet
Artikulli i Ambasadorit Rus në Shqipëri Mikhail Afanasiev "Në 80-vjetorin e fillimit të Luftës së Madhe Patriotike", "Gazeta Shqiptare", 22 Qershor 2021
22 qershori është datë e veçantë për shtetasit e Rusisë dhe ish-republikave të tjera të Bashkimit Sovjetik. Këtë ditë të verës së vitit 1941, 80 vite më parë, nisi lufta më e përgjakshme dhe më shkatërrimtare në historinë e vendit tonë, e shpërthyer nga Gjermania fashiste në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore të viteve 1939 – 1945, të nisur po prej saj.
Sot në kalendarin e datave përkujtimore të Rusisë 22 qershori përmendet si ditë e kujtimit dhe hidhërimit. Është dita, ne kujtojmë ata, që ranë me armë në dorë në betejat kundër nazistëve, që u torturuan prej tyre në kampet e përqendrimit, vdiqën nga plagët, uria dhe vështirësitë e kohës së luftës.
Sulmi i pabesë i Gjermanisë fashiste dhe aleatëve të saj kundër BRSS, që nisi të dielën, më 22 qershor 1941, në orën 04.00 të mëngjesit, kur popullata paqësore ende flinte, pati tre drejtime: Moskën, Leningradin dhe Kievin. Atë ditë, gjatë sulmit të trupave gjermane në të ashtuquajturën Maja e Bjellostokut u pushtuan disa qytete dhe qendra të tjera në afërsi të kufirit. Nisi mbrojtja legjendare e Kështjellës së Brestit, e cila frenoi për plot 8 ditë (në vend të 8 orëve të planifikuara nga gjermanët) forcat e kundërshtarit.
Përveç trupave gjermane, më 22 qershor 1941, kundër BRSS u sul edhe ushtria e Finlandës, e cila zuri zonën e demilitarizuar në ishujt Alande. U sulmua drejtimi jugor i BRSS, ku trupat sovjetike më 22 qershor mundën ta ndalën për njëfarë kohe sulmin dhe ta shtynin pushtimin e Moldavisë nga trupat gjermane dhe rumune.
Vetëm disa orë pas fillimit të veprimeve luftarake përgjatë gjithë kufirit perëndimor të BRSS ambasadori i Gjermanisë në Moskë konti Shulenberg i dorëzoi komisarit të Popullit për Punët e Jashtme, V. Molotovit notën mbi shpalljen e luftës. Të tillë notë i dorëzoi ambasadorit sovjetik në Berlin V. Dekanozovit edhe ministri perandorak i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Ribentropi. Ditët e para të sulmit të pabesë të trupave naziste, Bashkimit Sovjetik i shpallën luftë edhe venet satelite të Gjermanisë dhe shtetet e pushtuara më parë prej saj – Italia, Rumania, Sllovakia etj. Në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Byrosë Politike të KQ të PK (b) në mesditën e 22 qershorit, V. Molotovi foli në radio, duke iu drejtuar popullit sovjetik. Po këtë ditë Sovjeti Suprem i BRSS nxori dekretin për mobilizim të përgjithshëm.
Lufta vazhdoi 4 vite tejet te gjatë. Ajo hyri praktikisht në çdo shtëpi sovjetike. Në Rusi dhe republikat e para të ish - Bashkimit Sovjetik, praktikisht nuk ka familje që nuk e preku kjo luftë e tmerrshme. E gjithë pjesa europiane e BRSS u shndërrua në gërmadhe, kurse një pjesë e madhe e popullsisë, që jetonte në këtë pjesë të territorit sovjetik, u dëbua në Gjermani. Disa milionë robër lufte sovjetikë dhe persona të shpërngulur gjetën vdekjen në duart e pushtuesve fashist në kampet e përqendrimit të ngritur prej tyre në mbarë vendin. Me çmimin e humbjeve kolosale Ushtria e Kuqe dhe populli sovjetik arritën ta shpartallojnë nazizmin, bashkë me aleatët çliruan vendet e Europës nga murtaja
e murrme dhe ngritën flamurin e fitores mbi Rajhshtagun gjerman në maj 1945. Si rezultat i agresionit fashist humbën jetën 27 milionë shtetas sovjetikë. Që nga fillimi i Luftës së Madhe Patriotike kanë kaluar 80 vite. Çdo ditë zvogëlohet gjithnjë e më tepër numri i pjesëmarrësve dhe dëshmitarëve të asaj përleshjeje të përgjakur. Kanë lindur breza të rinj rusë, që nuk e panë luftën, por dinë shumë për të nga tregimet e veteranëve, nga dokumentet, kronikat, librat dhe filmat. Edhe sot e kësaj dite data 22 qershor nuk ka nevojë për shpjegime të veçanta. Ajo mbetet në vetëdijen tonë si kujtesë e tragjedisë së pashembullt, që pllakosi mbi vendin tonë atë ditë dhe, njëherazi, si simbol i heroizmit gjithaq, të pashembullt të popullit sovjetik.
Duhet theksuar, se udhëheqja dhe populli i vendit të madh që në fillim ishin të vetëdijshëm, se në luftën kundër nazizmit ne nuk do të ishim vetëm. Në thirrjen e parë në radio të J. V. Stalinit drejtuar shteteve sovjetikë më 3 korrik 1941 ka të tilla fjalë: “Luftën kundër Gjermanisë fashiste nuk mund ta quajmë luftë të zakonshme... Lufta jonë për lirinë e Atdheut do bashkohet me luftën e popujve të Europës dhe Amerikës për pavarësi dhe liri demokratike”. Konferenca e Moskës e vitit 1941 (29 shtator – 1 tetor) shënoi fillimin e pjesëmarrjes së BRSS në programin Lend – Liz, ndihmoi në krijimin e “Treshes së Madhe” të koalicionit antifashist. Në solidaritet me popullin sovjetik manifestuan lëvizjet partizane të vendeve europiane, opinioni përparimtar botëror, përfaqësues të shumtë politikë, shumë prej të cilëve pas mbarimit të luftës u bënë liderë të vendeve të çliruara.
Atëkohë, në vitin e largët 1941, të gjithë e kishin absolutisht të qartë, kush ishte agresori dhe kush viktima. Ideologjia e kujt i kanosej ekzistencës së Europës dhe kush e prishi atëherë sistemin e sigurimit të ngritur pas Luftës së Parë Botërore. Kush pushtoi pjesët më të mëdha industriale, qytetet dhe kryeqytetet e shteteve sovrane. Dhe, nga ana tjetër, kush qe objekt i sulmit të pabesë, duke pësuar humbje kolosale, në radhë të parë midis popullsisë civile.
Mirëpo këtë dhjetëvjeçarin e fundit është bërë e modës për t’i kthyer ngjarjet kokëposhtë. Popullaritet ka marrë i ashtuquajturi nderim “alternativ” i historisë, ose, e thënë thjesht, historia e rreme. Janë shpeshtuar përpjekjet për të diskredituar dhe poshtëruar rolin e Bashkimit Sovjetik në këtë luftë; bëhen përpjekje për ta paraqitur atë si fajtor të luftës, për ta barazuar me Gjermaninë fashist. Kështu, në vjeshtën e vitit 2019 Parlamenti Europian miratoi rezolutën “Mbi rëndësinë e ruajtjes së kujtimit historik për të ardhmen e Europës”, e cila në thelb vuri në një kandar pushtimin nazist, që mori dhjetëra milionë jetë njerëzish të popujve të ndryshëm, krimet e bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe misionin çlirimtar të Ushtrisë së Kuqe. Ndërkohë, në disa vende të Europës u shpeshtuan rastet e ngritjes së monumenteve shërbëtorëve të fashistëve, të përdhosjes dhe shembjes së memorialëve në nder të ushtarëve çlirimtarë sovjetikë të vrarë.
Si bazë e vlerësimeve të reja të Luftës së Dytë Botërore përdoret fakti i nënshkrimit nga BRSS dhe Gjermania të “paktit Molotov – Ribentrop” më 1939. Por të
gjithë e dinë, se Bashkimi Sovjetik, më pas edhe Rusia, i kanë dënuar botërisht protokollet sekrete të këtij pakti. Për më tepër, lihet në harresë, që vendimin për sulmin mbi Poloninë, që shërbeu si fillim i Luftës së Dytë Botërore, Hitleri e kishte marrë shumë kohë para nënshkrimit të marrëveshjes me Stalinin. Pakti sovjeto – gjerman ishte i fundit në radhën e dokumenteve të iniciuara nga Hitleri, përfshi paktin e Gjermanisë me Poloninë (viti 1939), me Letoninë (1939). Më par ka qenë marrëveshje detare Angli – Gjermani, që e lejoi Hitlerin të rimëkëmbte flotën ushtarake ; marrëveshja e Mynihut e vitit 1938, që i hapi “dritën jeshile” planeve të tij ekspansioniste etj.
Siç shihet, dëshira ë grupeve të caktuara politike sot shkon ndesh me trajtimin racional të historisë dhe vetëm e vështirëson gjetjen e një gjuhe të përbashkët për dialog midis Perëndimit dhe Rusisë. E pa këtë është i pamundur ndërtimi i një arkitekture të përgjithshme të sigurimit në kontinentin evropian. Rishikimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe konkluzioneve të saj me qëllim kalimin e fajit nga agresori te viktimat është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e të drejtës ndërkombëtare, të fiksuara nga vendimet e gjyqit të Nyrenbergut dhe të Tokios dhe të mishëruara në Rregulloren e OKB. Meqë ra fjala, më 1 tetor të këtij viti mbushen 75 vite nga nxjerrja e konkluzioneve të procesit të Nyrenbergut. Dhe lidhur me këtë do të ishte mirë, sikur disa politikanë europianë dhe ithtarë të vështrimit “alternativ” mbi ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore ta merrnin edhe njëherë në duar këtë dokument dhe të freskonin në kujtesë përmbajtjen e vendimeve të gjykatësve ndërkombëtarë, që dhanë vendimin përfundimtar për nazizmin.
Për bashkëatdhetarët tanë fitorja në Luftën e Dytë Botërore është ngadhënjim i të drejtës dhe disfatë e të keqes më të madhe në historinë e njerëzimit. Ne e arritëm atë vetëm duke bashkuar forcat tona me vendet dhe popujt e tjerë kundër armikut të përbashkët, që bëri të vetën ideologjinë e nacional-socializmit dhe bashkërisht arritën t’i shpartallojnë trupat hitleriane. Dhe mësimi kryesor, që nxorëm dhe që duam ta ndajmë me parterët tanë në Europe dhe Amerikë është: Vetëm kalimi i mosmarrëveshjeve dhe bashkimi i forcave ndaj sfidave të përbashkëta do të na mundësojë të mos lejojmë përsëritjen e tmerreve dhe vuajtjeve që provoi njerëzimi.
Ambasadori i Rusisë në Shqipëri
M. Afanasiev